TIRANË, 18 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të luajë mbrëmjen e së martën në stadiumin “Air Albania” ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve përballë Ukrainës
Në prag të kësaj sfide mbrojtësi, Ardian Ismajli, doli në një konferencë për shtyp teksa theksoi se vendi i parë është i vështirë për t’u arritur pas barazimit 0-0 ndaj Çekisë të shtunën.
Ai shtoi se renditja tashmë nuk është vetëm në dorë të Shqipërisë, por varet edhe nga rezultati i ndeshjes Çeki-Gjeorgji.
Ai gjithsesi theksoi se, skuadra në fushë do të futet vetëm për fitore.
“Tani është më e vështirë. Nuk varet vetëm nga ne vendi i parë. Ne do të futemi në fushë vetëm për fitore, nuk kemi rezultat tjetër. Shpresojmë në një barazim në ndeshjen mes Çekisë dhe Gjeorgjisë”, tha ai.
I pyetur për merkaton Ismajli tha se nuk ka dëshirë të flasë.
“Ne jemi në Kombëtare dhe nuk kam dëshirë të flas për merkaton. Jam këtu për Kombëtaren dhe të shohim çfarë do të ndodhë në janar”, tha ai.
Për sfidën ndaj Ukrainës, Ismajli u shpreh se, nuk ka kundërshtarë të lehtë.
“Kundërshtarë të lehtë nuk ka. Sidomos në Serie A. Nuk kemi frikë, kemi bërë mirë në mbrojtje në ndeshjet e fundit. Në “Air Albania” kemi pësuar vetëm një humbje. Tifozët janë një avantazh shumë i madh për ne. Jam i sigurt që do të kemi përkrahje më të madhe edhe ndaj Ukrainës dhe shpresojmë në një fitore”, u shpreh ai.
Ai shtoi më tej se detyra e mbrojtjes është të mbrojë.
“Në Çeki nuk e njihnim mirë atë sulmuesin. Në ndeshjen e dytë ia dolëm. Shpresojmë me fitore ndaj Ukrainës”, deklaroi Ismajli.
/a.f/























