Ballina Aktualitet

Opozita protestë te Bashkia e Tiranës: Drejtësinë duhet ta bëjmë ne

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Opozita zhvilloi sot protestën e 34-rt përpara bashkisë së Tiranës.

Gjatë protestës deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e akuzuar atë se është i përfshirë në korrupsion.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se “po qëndroni këtu prej muajsh në një qëndresë heroike kundër simbolit më të urryer të korrupsionit, përpara kësaj grope septike korrupsioni, që vitin e ardhshëm parashikon të vjedhë edhe 500 milionë euro taksa tuajat”.

“Drejtësinë duhet ta bëjmë ne. Drejtësinë duhet ta bëjë populli. Besoj e morët vesh se kush do të jenë 12 drejtorët e rinj të Policisë së Shtetit. Të gjithë të lidhur me krimin e organizuar”, tha Blushi.

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu theksoi se beteja nuk do të ndalet, derisa hajdutët të përfundojnë në burg.

“Shqiptarët protestojnë për drejtësi. Në burg shkojnë ata që denoncojnë krimin e tyre, këtu nuk ka drejtësi, sepse këtu ka Skap, nuk ka drejtësi, sepse këtu ka Duman”, tha Balliu.

Teksa po zhvillohej protesta e PD-së para bashkisë së Tiranës, një efektivi të policisë i ka rënë të fikët dhe i është dhënë ndihma e parë nga kolegët.

Opozita prej disa muajsh po proteston përpara bashkisë së Tiranës kundër korrupsionit si dhe kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu në Francë: Vitin e ardhshëm hapet në Tiranë filiali i Universitetit Teknologjik të Compiègne
Artikulli tjetërBuxheti i KLGJ-së 13% më i lartë, Rusi: Urgjente ndërtimi i godinës së re të “Apelit”, duhet financim për sigurinë kibernetike