TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi bëri të ditur sot se qindra video pirate dhe përmbajtje të dëmshme janë bllokuar nga fillimi i bashkëpunimit të AMA-s me platformën TikTok.
Krasniqi tha se “falë bashkëpunimit me qytetarët deri tani kanë ardhur 563 ankesa në AMA. 194 janë vlerësuar në shkelje të ligjit, nga këto, 187 video/audio janë hequr nga platforma dhe 7 të tjera janë në shqyrtim”.
Sa i takon piraterisë, Krasniqi u shpreh se “nga fillimi i bashkëpunimit me platformën TikTok, janë shënuar 1136 video të raportuara për pirateri dhe të hequra nga platforma. 159 profile të mbyllura pasi janë raportuar për përmbajtje të piratuara”.
Kryetarja e AMA-s inkurajon qytetarët të raportojnë çdo përmbajtje që ata e gjykojnë të dëmshme.
“Çdo ankesë do të shqyrtohen me përgjegjësi të plotë dhe në zbatim të dispozitave ligjore”, tha Krasniqi.
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur prej gushtit të këtij viti një bashkëpunim me platformën TikTok, që synon ndalimin e shpërndarjes së përmbajtjeve të dëmshme, siç janë videot ku shfaqet apo nxitet dhunë e çdo lloji, që përmbajnë gjuhë urrejtje, që shkelin të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve.
/k.s/a.f/r.e/























