Ballina Aktualitet

Ibrahimaj te Komisioni hetimor i “Sterilizimit”: Përjashtimi i TVSH-së vetëm për pacientët, jo për koncesionarin

TIRANË, 8 nëntor/ ATSH/ Komisioni hetimor për shërbimet publike të Sterilizimit dhe të Check-up në shëndetësi vijoi sot seancën dëgjimore me dëshmitare ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Ajo ishte në komision si ish-drejtuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe ish-ministre e Financave.

Ka qenë anëtari i këtij komisioni, Edmond Spaho, që i ka kërkuar sqarime ministres për pagesën me TVSH për shërbimet e dy kompanive koncesionare, atë të Sterilizimit dhe të Check Up-it.

“Ka një aspekt që është evidentuar gjatë gjithë punimeve të këtij komisioni dhe që është TVSH-ja, si për Check Up-in, edhe për Sterilizimin. Likuidimi i shërbimit që ka kryer koncesionari është bërë me TVSH, ndërkohë shërbimi ynë është pa TVSH, sepse është shërbim shëndetësor, pra ku janë përjashtuar nga detyrimi për pagesën 20% të TVSH-së që është ligji i vitit 1995 që është i përmirësuar. Pse koncesionari duhet të likuidohet me 20% të TVSH-së, pasi është si t’i falësh para. KLSH e ka ngritur si çështje, Ministria e Shëndetësisë i ka dërguar një letër për interpretim Ministrisë së Financave, kjo e fundit ka një shkresë të Tatimeve, ku ju atëherë keni qenë drejtoreshë. Furnizimet e barnave dhe shërbimet shëndetësore ndaj pacientit i përjashton nga TVSH-ja, duhet të ofrohen nga institucionet publike ose private. Është shërbim me TVSH zero, por nuk kuptoj pse duhet t’ia japim koncesionarit këtë 20%. A është ligjore që i është paguar 20%, ndërkohë që gjithçka është kryer me regjim zero?” – tha Spaho.

Ministrja Ibrahimaj tha se përjashtimi i TVSH-së bëhet vetëm për pacientët dhe jo për shërbimet mes koncesionarit dhe institucioneve shëndetësore.

“Përjashtimi i TVSH-së për shërbimet shëndetësore, i referohet shërbimeve për pacientin. Në momentin që është një kompani koncesionare që ka një marrëdhënie me një institucion shëndetësor, koncesionari nuk është i përjashtuar nga TVSH-ja dhe në marrëdhënie me institucionet apo mjekët duhet të jetë pjesë e TVSH-së. Ka një udhëzim që e specifikon këtë. Në koncept, TVSH-ja balancohet, ajo që paguhet dhe ajo që blihet, pra ato para merren mbrapsht. Pjesa e pagesës së TVSH-së i referohet udhëzimit që përmenda, diferencën mes TVSH-së së blerë dhe të paguar derdhet përsëri në arkën e shtetit. Kjo është çështje kontabiliteti, e ka sqaruar shkresa e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve qëndrimin për këtë çështje, është i përjashtuar nga TVSH-ja vetëm shërbimi për pacientin, jo kur ka një kompani koncesionare në mes”, u shpreh Ibrahimaj.

Anëtarja tjetër e komisionit, Emilia Koliqi i kërkoi ministres shpjegime se pse janë paguar analiza të pakryera.

“Kur ka ardhur studimi i fizibilitetit për kontratën në Ministrinë e Financave, ju keni raportin e performancës së kontratave koncesionare çdo vit dhe aty paraqitet monitorimi dhe risku që paraqesin këto kontrata. A ju ka bërë përshtypje që në kundërshtim me ligjin financiar dhe të kontrollit janë paguar analiza të pakryera në kontratën e Check Up-it? KLSH që në vitin 2016, e ka ngritur këtë shqetësim, të rishikohet kontrata në mënyrë që kostot që shkonin deri në 480 lekë me TVSH të zbriteshin dhe të mos i paguheshin koncesionarit”, tha Koliqi.

“Kam qenë Ministre e Financave nga periudha e viteve 2021-2023 dhe në kohën që kam qenë ministre, kontrata kishte një parashikim që në rast në një vit të plotë të kryerjes së veprimtarisë së koncesionarit, nëse kryheshin më shumë se 475 mijë analiza, vlera e analizave të kryera më tepër të kompensohet me analizat e pakryera në vitet e mëparshme. Vlera që do i paguhej koncesionarit mbetej e pandryshuar. Nuk ka shkelje të ligjit të menaxhimit financiar dhe kontrolli”, tha ministrja Ibrahimaj.

Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi u shpreh se sipas të dhënave, janë tetë mijë analiza të paguara kot që kanë shkuar në xhepin e Vilma Nushit.

“Ju duhet të ishit kontrollore e parave të shqiptarëve, sikur edhe një analizë e pakryer të ishte nuk duhet të ndodhë. Tetë mijë analiza të paguara kot në xhep Vilma Nushit, çfarë janë? Duhet mbajtur përgjegjësi për çdo qindarkë, sepse është punë shëndeti, ia ke marrë lekët atij pensionistit, atij që jeton me minimumin jetik, ndihmën sociale, etj. 15 milionë euro dëmi që i keni shkaktuar buxhetit, e merrnit pa TVSH, e nxirrnit me TVSH”, tha Vokshi.

“Nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Financave të bëjë analizën e PPP-ve dhe nuk kam dijeni për këtë pjesë, sepse bëhet nga Autoriteti Kontraktor. Analiza për vlerën e parave bëhet nga autoriteti kontraktor. Udhëzimi numër 6 i TVSH-së parashikon që shërbimet të ofrohen nga institucionet publike ose private, pra vetëm ato shëndetësore”, tha Ibrahimaj.

/e.i/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGripi sezonal, Bino për ATSH: 50% e dozave të vaksinës të përdorura në popullatë
Artikulli tjetërCertifikohen punonjës të AMP-së, Hoxha: Synimi ynë krijimi i një trupe profesioniste