Ballina Ekonomi

Balluku: 33.48 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore, Korridori 8 dhe Korridori Blu peshë kryesore

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, projektbuxheti i vitit 2025 mbështet sektorët prioritarë të MIE-s, ku përfshihen projekte të rëndësishme rrugore, portuale, hekurudhore, në ujësjellës kanalizime dhe energjetikë, me ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.

E pranishme sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për shqyrtim në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2025” të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku theksoi se, investimet në veprat strategjike rrugore Korridori 8 dhe Korridori Blu mbajnë peshën më rëndësishme të financimeve.

“Me një buxhet 33.48 miliardë lekë për sektorin e transportit rrugor, ose 4.1 miliardë më shumë se viti i kaluar, 14% më shumë se në vitin 2023, synojmë realizimin e një sërë projektesh infrastrukturore, si Rruga e Arbrit, projekti i tretë i bajpasit Orikum-Dukat”, vuri në dukje Balluku.

“Në projektet prioritare kemi investimin në zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ngritjen e Qendrës së Monitorimit të Trafikut. Në fokus të strategjisë sonë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore është ndërtimi i autostradave tona sipas standardeve evropiane”, u shpreh Balluku, teksa shtoi se monitorimi dhe mirëmbajtja janë një aspekt tjetër i rëndësishëm.

Gjithashtu u shpreh ajo, “nisim me monitorimin e 200 km rrugë, akset kryesore, Korridori Blu, Korridori VIII, kemi nisur zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, ku do të kemi 4 korsi të reja”.

Në fokus, sipas saj, janë edhe investimet në vepra rrugore që ndihmojnë zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë lokale.

“Kemi nisur punën për zgjerimin e rrugës së Ksamilit dhe do të vijojmë me të tjera akse”, tha ajo.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinisteriali i Mbrojtjes i Evropës Juglindore në Tiranë, Vengu: Shqipëria, nyje e bashkëpunimit të sigurisë dhe mbrojtjes rajonale
Artikulli tjetërHUNGARI – Orban bën thirrje për strategji të re të BE-së për Ukrainën pas fitores së Trump