Ballina Flash

Gonxhja: Don Gianfranco Cadenelli, mishërim i shpirtit të bashkëjetesës fetare

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të priftit të dioqezës së Rrëshenit, Don Gianfranco Cadenelli, i cili i përkushtoi gjysmën e jetës së tij banorëve të Matit.
“Lamtumirë Priftit të Maleve, Don Gianfranco Cadenelli, miku i mirë i Matit! I lindur në Brescia të Italisë dhe shuguruar meshtar në moshën 23-vjeçare, ai vendosi që shërbimin e tij ta vazhdonte në Shqipëri, në luginën e Matit (Dioqeza e Rrëshenit), ku erdhi si misionar në vitin 2002, e ku ndërtoi edhe qendrën kishtare, sociale e humanitare në Suç të Klosit. Me një zemër të madhe, ai i përkushtoi gjysmën e jetës së tij meshtarake Matjanëve”, u shpreh Gonxhja.
Ministri vlerësoi se “Don Gianfranco mësoi gjuhën, përqafoi traditat tona dhe nuk la fshat, familje apo individ pa njohur e pa ndihmuar, edhe në zonat më të thella e të vështira”.
“Me dashurinë e tij për Shqipërinë, ai shprehu dëshirën që të mbetet përgjithmonë këtu, edhe pas largimit nga jeta. Besimtarët e çdo besimi, muslimanë e ortodoksë, gjenin tek ai mishërimin dhe frymëzimin e shpirtit të bashkëjetesës fetare e solidaritetit universal. Largimi i tij i parakohshëm nga një sëmundje e rëndë ka plagosur zemrat e mbarë komuniteteve të zonës, pa dallim feje e moshe. Don Gianfranco Cadenelli do të mbetet një mik i përjetshëm dhe një shembull i dashurisë e përkushtimit ndaj njerëzve”, u shpreh Gonxhja.

/m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha: Shfaqjet e kushtueshme nëpër botë nuk i mbushin xhepat e shqiptarëve
Artikulli tjetërIZRAEL – IDF: Vritet komandanti i Hezbollahut në zonën Khiam