VALENCIA, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Të paktën 51 persona kanë vdekur për shkak të stuhive të forta në Spanjë, veçanërisht në rajonin mesdhetar të Valencias, raporton agjencia spanjolle e lajmeve Europa Press, duke cituar qeverinë rajonale të Valencias.
“Shifra e përkohshme e personave të vdekur është 51”, njoftuan shërbimet e urgjencës në një mesazh në rrjetin social X.
Ndërkohë, mbreti Felipe VI deklaroi se ishte ”i shkatërruar” nga kjo ngjarje e dhimbshme.
Shërbimi i motit tha se situata në Spanjë nuk do të qetësohet para së enjtes.
Në jug dhe lindje të Spanjës, autostradat dhe rrugët rurale janë të bllokuara.
Transporti ajror dhe hekurudhor është prekur gjithashtu.
Mësimet janë anuluar në shumë shkolla dhe universitete.
Për shkak të rrëshqitjes së tokës, një tren me shpejtësi të lartë që udhëtonte nga Malaga në Madrid doli nga shinat pas nisjes me 291 pasagjerë në bord.
Megjithatë, raportohet se nuk ka pasur të lënduar.
Ngjarjet e reshjeve të mëdha janë bërë më të shpeshta dhe intensive në mbarë botën, kryesisht për shkak të ndryshimeve klimatike.
Ndërsa temperaturat globale rriten, ajri më i ngrohtë mban më shumë lagështi, duke çuar në nivele më të larta të reshjeve./ /os/






















