Ballina Bota

ATHINË – Greqia i kërkon Steinmeierit dëmshpërblimet e LIIB

ATHINË, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u gjend papritur përballë kërkesave të reja për kompensim nga Greqia.

Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou i kujtoi Steinmeier dëmin që pësoi vendi i saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe një kosto që Greqia i pagoi Gjermanisë së Adolf Hitlerit.

”Çështja e reparacioneve të luftës është ende shumë e rëndësishme për popullin grek”, theksoi Sakellaropoulou.

Greqia, e cila u sulmua dhe u pushtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga trupat aleate italiane dhe gjermane, ka kërkuar prej kohësh dëmshpërblime për dëmet e luftës dhe shlyerjen e huasë së detyruar nga Gjermania.

Steinmeier pranoi përgjegjësinë e Gjermanisë për “mizoritë” e kryera para dhe gjatë luftës, por ”hodhi poshtë mundësinë e reparacioneve të mëtejshme”.

“Ne kemi një pikëpamje të ndryshme për çështjen ligjore që ju ngritët. Ju e dini se Gjermania e konsideron çështjen ligjore të reparacioneve të mbyllura sipas ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, ne mbajmë përgjegjësinë tonë historike dhe morale”, theksoi ai.

Steinmeier theksoi angazhimin e Gjermanisë për ndërtimin e një muzeu të Holokaustit në qytetin grek të Selanikut.

”Krimet gjermane në Greqi janë një temë e vështirë që ende luan një rol në marrëdhëniet tona aktuale dhe të cilën ne nuk duhet ta shmangim, prandaj edhe unë i kushtoj hapësirë ​​gjatë kësaj vizite”, theksoi Steinmeier./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDita Botërore e Qyteteve
Artikulli tjetërGonzato: Bashkëpunimi parlamentar, rol kyç për të çuar përpara anëtarësimin e Shqipërisë në BE