Ballina Aktualitet

Rritje e menjëhershme dhe e përhershme e bonusit të fundvitit për pensionistët

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, do të ketë rritje të menjëhershme dhe të përhershme të bonusit të fundvitit për pensionistët.

Në një takim me pensionistët e Fierit për të ndarë me ta pikëpamje për skemën e pensioneve, Rama u shpreh se, “tani është koha që ndërkohë që të gjithë kanë filluar të marrin përfitimet e tyre nga rritja e ekonomisë, në formën e pagave, në formën e investimeve edhe pensionistët të hyjnë në këtë mozaik dhe edhe pensionistët të marrin një përfitim më shumë nga ekonomia që rritet”.

Prandaj, shtoi kreu i qeverisë, “ne po përgatitemi, po bëjmë të gjitha llogaritjet me kujdes, sepse nëse do të rrisim bonusin në fund të vitit, për shembull, tani që të flasë një pensionist është në të gjithë të drejtën e tij, por kur dëgjoj që të flasin ata që i thoshin pensionistëve do t’ju japim një gjel për vit të ri, që ishte një fakt një gjysmagjel dhe thonë tani do t’i bëjmë pensionet kaq, do t’i bëjmë pensionet aq, është për të vënë duart në kokë”.

“Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë 5 mijë lekë të reja, ose 50 euro për pension, për çdo pensionist, jo një bonus për t’i lënë gjyshen dhe gjyshin bashkë, por të ndarë”, tha Rama.

“Tani ne po përgatitemi të bëjmë një bonus tjetër të ri që të jetë një bonus i përvitshëm dhe të jetë natyrisht më i lartë se ky që është se ndryshe për çfarë diskutojmë. Por ky është hapi i parë dhe do të jetë i menjëhershëm dhe do të jetë i përhershëm. Pra nuk është bonus hajde po e bëjmë këtë vit, pastaj të shikojmë vitin tjetër. Është një fond që ne do ta lëmë mënjanë në çdo buxhet për pensionistët”, theksoi Rama.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Qeveria paguan çdo vit 1 mld euro nga buxheti për të mbuluar deficitin në fondin e pensioneve
Artikulli tjetërManja: Të angazhuar për një sistem drejtësie me standardet evropiane