Ballina Ekonomi

Denaj: Fabrika në Vlorë, standarde cilësore në prodhimin e vajit të ullirit

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Shqipëria renditet në një nga vendet kryesore në Europë sa i takon rritjes dhe prodhimit të ullirit, me rreth 12 milionë rrënjë ullinj, nga të cilat rreth 11 milionë janë në prodhim.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, për vitin 2023 u prodhuan 117.6 mijë tonë ullinj, ndërsa në 2024 ky tregues është me rritje të ndjeshme, falë subvencioneve dhe skemave për mbrojtjen e ullirit që kanë shtuar prodhimin e kësaj bime.

Prodhimi i vajit të ullirit është traditë mjaft e vjetër në Shqipëri, por vitet e fundit ai ka fituar një vëmendje të shtuar.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjete sociale momente nga procesi i përpunimit dhe prodhimit të vajit të ullirit nga një prej fabrikave në Vlorë, që ka investuar në teknologji moderne të përpunimit të ullirit.

“Është një nga proceset më të bukura të stinës, nga përzgjedhja e kujdesshme e ullinjve nga “Agrothanaj” e deri te procesi i nxjerrjes së vajit të pastër të ullirit, në fabrikën “Naxhi Llanaj” në Novoselë”, shkruan Denaj.

Prodhimi vendas i ullinjve mbulon nevojat e konsumit në tregun vendas dhe pjesa më e madhe e këtij prodhimi kalon në përpunim, për vaj ulliri.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti, i cili tashmë është mjaft i kërkuar edhe për eksport, edhe në tregjet europiane.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria mirëpret Forumin e Funksioneve të Rojës Bregdetare të Mesdheut
Artikulli tjetërKumbaro: Historike, 6 fluturime direkte nga Italia në aerodromin e Gjirokastrës