Ballina Aktualitet

Von der Leyen: Rusia po punon për të destabilizuar vendet që zgjedhin BE

TIRANË, 23 tetor/ATSH/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen foli sot për forca që qëndrojnë pas çdo konflikti në rajon dhe se këto forca, sipas saj, synojnë ndalimin e zgjerimit të BE-së.

Në ceremoninë e çeljes së vitit akademik të Kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Von der Leyen u shpreh se sa herë ka progres drejt pajtimit apo integrimit rajonal, janë ata që sjellin në vëmendje konfliktet e vjetra.

Sipas saj, Rusia hyri në Ukrainë në momentin që Ukraina dëshironte të bëhej pjesë e BE-së, njëjtë sikurse edhe javën e shkuar pati ndikime në Moldavi.

“Ashtu si ndodhi edhe pas vitit 1989, historia europiane po lëviz. Atëherë ndjesia që patëm ishte sikur bashkimi i kontinentit tonë ishte i paevitueshëm, sepse ishte një nga ato forcat e pandalshme të historisë, të cilën brezi im e quajti “era e ndryshimit”. A mund ta ndryshojë kush këtë erë ndryshimesh? Sot, kjo erë ndryshimesh po fryn këtu, por jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Ukrainë, Moldavi e Gjeorgji e gjithandej në kontinentin tonë. Por ka edhe erëra të tjera që fryjnë në drejtime të kundërta, drejt dasive, nacionalizmit. Rusia ka hyrë në Ukrainë pikërisht për faktin se Ukraina dëshironte të bëhej pjesë e BE dhe fundjavën e shkuar në Moldavi ne pamë ndërhyrjen e madhe të Rusisë në referendumin e atij vendi për të ardhmen e tyre europiane”, u shpreh presidentja Von der Leyen.

Sipas saj, këto forca po punojnë gjithë kohës për të destabilizuar vende që zgjedhin Europën.

“Sa herë ka progres drejt pajtimit apo integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, janë ata që sjellin në vëmendje konfliktet e vjetra. Ky është realiteti i sotëm. Dhe me këtë do të duhet të përballet brezi juaj i europianëve të rinj”, deklaroi ajo.

Von der Leyen tha se Europa duhet të jetë më proaktive në përgjigje të kësaj situate.

“Si do të duhet të reagojë Europa ndaj këtij realiteti të ri. Duhet të jemi edhe më shumë proaktivë sesa kemi qenë në të shkuarën. Të rrimë duarkryq nuk është më opsion. Kjo është e vërteta themelore që duhet ta përdorim për çdo veprim që kryejmë: Ose do të bëjmë hapa pas, ose përpara. Dhe unë e di që brezi juaj këtu në Ballkanin Perëndimor dëshiron të bëjë hapa para”, deklaroi ajo.

/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjokutaj: Arrestimi i Metës është izolim i opozitës
Artikulli tjetërAngli, Basha takon Martin Vickers: Diskutuam përpjekjet e SPAK për ndarjen e politikës nga krimi