Ballina Flash

Qose ndan mesazhin e të dënuarve: Gjithkush meriton të dëgjohet

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Kreu i Burgjeve, Klevis Qose ka ndarë në rrjete një videomesazh të dedikuar për të burgosurit, duke i mëshuar idesë mbështetjes dhe nevojës për t’u dëgjuar edhe për këtë kategorisë të shoqërisë.

“Më djegin mushkëritë, nuk mund të marrë frymë. Lufta brenda meje kalon pa u dëgjuar dhe unë jam i lodhur nga stuhitë. Shkëndijat ndihen në errësirë dhe hedhin dritë kudo, ndërsa unë ndjej se jeta ime ka mbaruar, nuk kam asnjë shpresë për të vazhduar sepse askush nuk kujdeset për mua”, dëgjohet një zë në video që flet për stresin dhe trishtimin që përjeton një i burgosur brenda katër mureve.

Ndërkohë, që një tjetër shprehet se thjeshtësia nuk ekziston dhe se mendja e tij është torturuar nga mendësitë, me dyshimin se zgjedhjet e tij do e çojnë në shkatërrim.

“Hidh hapin e parë, unë do të të ndihmoj! Ti je i denjë për dashurinë dhe unë jam këtu për të vazhduar rrugën bashkë me ty”, dëgjohet zëri në video, në emër të mbështetjes dhe ndihmës për këtë kategori.

Videoja është ndarë në rrjete sociale nga kreu i Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë dhe Ievp “Jordan Misja” si një formë mbështetjeje për këtë nismë që thekson nevojën e të burgosurve për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e tyre.

/Ermira Isufaj/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia e Shtetit: Asnjë punonjës policie nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjatë tubimit
Artikulli tjetërPërplasjet në Kuvend, Bardhi akuza Policisë: Na u nxor arma