Ballina Bota

UASHINGTON – SHBA: Pheniani të ulë tensionin në rajon

UASHINGTON, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Koresë së Veriut të ndalojë sjelljen që kërcënon të përshkallëzojë më tej tensionet në rajon, pas raportimeve se ajo shkatërroi pjesë të rrugëve në anën veriore të vijës ndarëse me Korenë e Jugut.

Shefat e përbashkët të Shtabit në Seul tha se Pheniani hodhi në erë pjesë të dy rrugëve pranë vijës së demarkacionit ushtarak që ndan të dy vendet.

Koreja e Veriut kishte njoftuar planet për të ndërprerë të gjitha lidhjet rrugore dhe hekurudhore me fqinjin e saj jugor javën e kaluar, mes tensioneve në rritje.

Media shtetërore tha se masat kishin për qëllim ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe parandalimin e luftës, megjithëse nuk ka pasur tregti të drejtpërdrejtë përtej kufirit të militarizuar rëndë për disa vite.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller tha se ”Koreja e Veriut po vazhdon të marrë masa që rrisin tensionet”, duke shtuar se ”Uashingtoni po nxit udhëheqjen e saj të marrë rrugën e kundërt, të reduktojë tensionet dhe të ndalojë çdo veprim që mund të rrisë rrezikun e konfliktit”.

Miller shtoi se Uashingtoni po monitoronte situatën në Korenë e Veriut në koordinim me Seulin./  /os/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOD, takim letrar për shkrimtaren Natasha Lester
Artikulli tjetër“Wine and Stories” në Berat, Demo: Në ndjekje të traditës, si djepi i disa prej kantinave më të mira në vend