TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediet bëri me dije se do të vijohet me mosbindjen civile.
Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, tha se asgjë nuk i ndalon demokratët në realizimin e qëllimeve të opozitës, siç janë qeveria teknike dhe rikthimin e votës së lirë.
“Ajo mosbindje civile e 7 tetorit u dëshmoi të gjithë skeptikëve në opozitë se cili është shpirti i vërtetë opozitar i qytetarëve shqiptarë. Të gjithë ata që murmurisnin dhe pëshpëritnin se shqiptarët nuk ngrihen, e panë se cilët ishin shqiptarët dhe sa të gatshëm ishin. Duhet të vazhdojë menjëherë dhe sa më shpejt me 77 metoda, praktika të mosbindjes civile. Asgjë nuk na ndalon ne në realizimin e qëllimeve tona, qeverinë teknike dhe rikthimin e votës së lirë”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha më tej se me ardhjen në pushtet të opozitës, akti i parë që do të ndërmarrë do të jetë vendosja e minimumit jetik 200 euro.
“E kam theksuar dhe e theksoj, akti i parë do të jetë vendosja e minimumit jetik, i përllogaritur nga Avokati i Popullit, prej 200 eurosh; do të jetë vendosja e rrogës minimale 500 euro; do të jetë asnjë pension nën minimumin jetik dhe dyfishim i pensioneve të tjera”, tha Berisha.
/r.e/a.f/













