Ballina Flash

Akademik Gruda çel seminarin shkencor mbi ushqimin e shëndetshëm në Universitetin Lituanez

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Akademik Nazim Gruda hapi sot seminarin shkencor “Burimet e reja natyrore të molekulave bioaktive për ushqimin e njerëzve dhe të kafshëve” në Universitetin Lituanez të Shkencave Shëndetësore në Kaunas.

Akad. Gruda ndau me të pranishmit njohuritë mbi strategjitë për të përmirësuar cilësinë e frutave dhe perimeve në kontekstin e të ushqyerit të shëndetshëm, në kuadër të projektit të Zyrës Ndërlidhëse të Universitetit Baltiko-Gjerman dhe Shërbimit Gjerman të Shkëmbimit Akademik (DAAD), që mundësuan financimin e këtij projekti përmes Ministrisë së Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë.

Ky projekt baltiko-gjerman u bë i mundur falë kontakteve shkencore dhe profesionale të krijuara gjatë vizitës së delegacionit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Lituani në shtatorin e vitit të shkuar.

Dy akademitë kanë nënshkruar një kontratë bashkëpunimi dhe në tetor të këtij viti, pritet që Kryetari i Akademisë së Shkencave të Lituanisë të vizitojë Shqipërinë.

Akademiku Gruda do të marrë pjesë edhe në konferencën e 4-të ndërkombëtare mbi aktualitetet shkencore dhe inovacionet në hortikulturë që do të mbahet gjatë këtij viti po në Kaunas, Lituani.

Tema e kësaj konference është “Rrjetet e vlerave të hortikulturës”, organizuar nga Qendra Kërkimore Lituaneze për Bujqësinë dhe Pylltarinë dhe Shoqata Nordike e Shkencave Bujqësore.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj pret presidentin e Izraelit: Mundësi të reja të forcimit të bashkëpunimit
Artikulli tjetërGREQI – Një anije-cisternë shpëton dhjetëra emigrantë