TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Punimet e shëndetësimit në pyje janë po aq të rëndësishme sa pyllëzimet për të garantuar shërbimet që ofrojnë këto ekosisteme.
Në kuadër të projektit EU4Nature, është përgatitur një paketë rregullatore “Mbi Menaxhimin e Procesit të Ndërhyrjeve të Nevojshme për Rigjenerimin dhe Shëndetësimin e Ekosistemeve në Pyjet e Zonave të Mbrojtura”, si edhe metodologjia për përllogaritjen e kostove të këtyre punimeve.
Dokumentet e përgatitura në konsultim me specialistët e AKZM dhe AdZM-ve, synojne të unifikojnë, përmirësojnë dhe standardizojnë punimet për shëndetësimin e pyjeve, për të garantuar shërbimet e ekosistemit që ato ofrojnë dhe gjenerimin e të ardhurave.
Përfaqësues të projektit EU4Nature, bashkë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe përfaqësues nga 12 administratat rajonale të zonave të mbrojtura, organizuam një takim konsultimi, ku menaxherët e zonave të mbrojtura u njohën me këtë paketë rregullatore.
Ky shënon një hap kyç për të implementuar praktika të qëndrueshme që do të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e natyrës, por edhe në mbështetjen e komuniteteve që jetojnë në afërsi të këtyre zonave.
Projekti mbështetet financiarisht nga BE dhe Ambasada e Suedisë në Tiranë dhe zbatohet nga PNUD në bashkëpunim me AICS Tirana.























