Ballina Uncategorized

GJERMANI – SPD refuzon thirrjet për frenimin e azilkërkuesve, pas sulmit në Solingen

BERLIN, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i Partisë Social-demokrate (SPD) në pushtet në Gjermani, Kevin Kuhnert, ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për të kufizuar migracionin nga Siria dhe Afganistani, pas sulmit fatal me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit.

Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën në sulmin me thikë në një festival të qytetit të premten në mbrëmje.

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 26-vjeçar nga Siria.

Prokuroria federale e ka marrë përsipër rastin dhe po heton të dyshuarin për vrasje dhe të dyshuar për anëtarësim në grupin terrorist të Shtetit Islamik.

Pas sulmit, opozita gjermane rriti retorikën e saj kundër emigrantëve, me Friedrich Merz, kreun e Bashkimit Kristian-demokrat (CDU) të qendrës së djathtë, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të pranimit të refugjatëve nga Siria dhe Afganistani.

Socialdemokrati Kuhnert hodhi poshtë sot këtë kërkesë.

”Shumë nga propozimet e Merz qëndronin në kontrast me kushtetutën e vendit, e njohur si Ligji Themelor, i cili mbështet të drejtën e individit për azil”, tha Kuhnert në programin e mëngjesit të transmetuesit publik, ARD.

“Përgjigjja nuk mund të jetë se ne tani përplasim derën përballë njerëzve që po ikin nga islamikët sepse po persekutohen prej tyre për mënyrën e tyre të jetesës”, tha Kuhnert.

”Në vend të kësaj, duhej të sqarohej pse autori i dyshuar, i cili duhej të deportohej në Bullgari vitin e kaluar, nuk u kthye kurrë atje”, tha politikani i SPD.

Sipas dispozitave të Konventës së Dublinit, vendi i BE-së i hyrë fillimisht nga një azilkërkues është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil dhe siriani kishte hyrë në Bashkimin Evropian nëpërmjet Bullgarisë.

Kuhnert tha se me sa dihej, Bullgaria ishte përgatitur të pranonte sirianin./  a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBegaj, takim me delegacionin nga rajoni Molisse dhe komuna arbëreshe Montecilfone
Artikulli tjetërRama: Mikpresim Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe Samitin e NATO-s