UASHINGTON, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Izraelit dhe lëvizjes militante palestineze Hamas që të tregojnë gatishmëri për kompromis gjatë bisedimeve në Doha për një armëpushim në Rripin e Gazës.
“Të dyja palët duhet të tregojnë kompromis. Të dyja palët duhet të tregojnë njëfarë lidershipi”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
”Bisedimet në kryeqytetin e Katarit ishin për detajet e zbatimit të vetë marrëveshjes, boshllëqet e vogla që ne absolutisht besojmë se mund të ngushtohen për sa i përket mënyrës se si do të ekzekutohet marrëveshja dhe jo për vetë marrëveshjen”, theksoi Kirby.
“Ndonjëherë, e dini, kur arrihet në fund të një negociate dhe jeni duke folur për ato lloj detajesh, atëherë bëhet më e vështirë dhe më e rëndë”, theksoi Kirby duke shprehur shpresën se do të ketë përparim në orët e ardhshme dhe ditët në vijim./ /os/























