Ballina Bota

FOKUS – Edhe Walz dhe Vance në debat televiziv

UASHINGTON, 15 gusht /ATSH/ – Kandidatët për zëvendëspresidentë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë dakord që të përballen në një debat, që do të organizohet nga CBS News, më 1 tetor.

CBS njoftoi se u kishte ofruar katër debate potenciale në shtator dhe tetor, guvernatorit demokrat të Minesotës, Tim Walz, dhe senatorit republikan të Ohajos, J.D Vance.

”Shihemi më 1 tetor, J.D”, shkroi Walz në X, para se fushata e kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, zyrtarisht të konfirmonte se Walz ka pranuar që të marrë pjesë në këtë debat.

Vance tha po ashtu se ka pranuar debatin e 1 tetorit, duke sugjeruar se CNN ka ofruar mbajtjen e një debati më herët, më 18 shtator.

Vance tha se ”ky nuk do të jetë si debatet e tjera të rreme… ku nuk ka publik”, sikurse ai që u zhvillua më 27 qershor mes presidentit Joe Biden, dhe kandidatit republikan për president, Donald Trump.

Ndërkaq, Harris dhe Trump pritet të marrin pjesë në debatin e 10 shtatorit, që do të organizohet nga ABC News.

Harris hyri më vonë në garën për Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti Biden u tërhoq nga kandidimi edhe për një mandat presidencial, për shkak të shqetësimeve për moshën e tij dhe rënies së mbështetjes për të.

Pas tërheqjes, ai mbështeti Harrisin për kandidaten e demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit./ (REL)  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPagat e rritura dhe taksat e ulëta, Rama: Të punosh në turizëm në Shqipëri, zgjedhje më e mirë se sa në vende të tjera rrotull
Artikulli tjetërFOKUS – Tanket britanike ”Challenger 2″ janë përdorur në sulmin ukrainas në Rusi