Ballina Aktualitet

Rama: Gryka e Këlcyrës, një ofertë e re turistike e aventurës për amatorët e Packrafting

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Turizmi po merr hov edhe në Peshtan, tek Gryka e Këlcyrës (Përmet), ku turistët kanë nisur të eksplorojnë natyrën e bukur përmes sportit të rafting.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gryka e Këlcyrës, e njohur ndryshe si parajsa e një mijë e një burimeve, që zbresin nga mali i Trebeshinës e derdhen në Vjosë, që po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

“Në Grykën e Këlcyrës – Peshtan, një ofertë e re turistike e aventurës për amatorët e Packrafting, sjell enkas çdo javë grupe nga Britania e Madhe, po mikpret edhe të tjerë të bashkohen për një eksperiencë të paharrueshme”, shkroi Rama.

Peshtani është pjesë e programit “100 fshatrat” dhe investimet në vepra publike në infrastrukturë e mjedis, paralelisht me ato private, kanë krijuar modelin ekonomik të  integruar agroturistik me impakt në zhvillimit rural.

Peshtani ndodhet 16 km në lindje të Tepelenës, në bregun e majtë të lumit Vjosa, aty ku bashkohet lumi i Zagories me Vjosën. Ai gjendet në qendër të një prej grykave më të mëdha në Ballkan, Gryka e Këlcyrës 13 km, një monument i rrallë natyror.

Kjo grykë ka një formim shkëmbor shumë të veçantë, ku lumi Vjosa pushon midis dy maleve me një gjerësi maksimumi 1 km dhe me burime kristal që derdhen në Vjosë duke krijuar ujëvara me një bukuri të rrallë.

Gryka gjendet mes vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto.

Një tjetër sport i pëlqyer nga vizitorët dhe turistët në këtë zonë është ngjitja në mal. Nga Peshtani ekziston një shteg malor që përshkruhet me kalë i cili të fut në Luginën e Zagories dhe del në malin e Çajupit.

Rruga përshkon një territor prej 20 km plot me pyje lisi, bredhi, bliri dhe ujëra pafund, në një zonë tërësisht të paprekur.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Bien ndjeshëm mbërritjet e migrantëve
Artikulli tjetërGREQI – Zjarret në pyje detyrojnë evakuimin e qytetit historik të Maratonës