Ballina Bota

BERLIN – Baerbock: Përhapja e luftës në Lindjen e Mesme mund të shmanget

BERLIN, 6 gusht /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se ka ende kohë për të shmangur një përshkallëzim të madh ushtarak në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli përgatitet për sulme nga Irani dhe forcat e tij rajonale.

“U bëj thirrje urgjentisht të gjithëve në rajon – që të braktisin rrugën e përshkallëzimit gjithnjë në rritje. Shmangia e përshkallëzimit duhet të konsiderohet me një rëndësi të veçantë”, shkroi Baerbock në X.

“Një luftë tjetër do të sjellë vetëm vuajtje të reja nga të gjitha anët. Ka ende një shans për të ndryshuar gjërat. Përshkallëzimi nuk është automatik”, shtoi ajo.

Tensionet u rritën pas vrasjeve të shënjestruara javën e kaluar – të komandantit ushtarak të Hezbollahut Fuad Shukr në Bejrut dhe shefit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran. Të dy grupet kanë lidhje të ngushta me Iranin.

Si kundërpërgjigje, Irani dhe aleatët e tij joshtetërorë – përfshirë Hamasin në Rripin e Gazës, Houthis në Jemen dhe milicinë e Hezbollahut në Liban – janë zotuar të kryejnë një sulm ndëshkues ndaj Izraelit.

Mes frikës së një konflikti në zgjerim, shumë vende, përfshirë Gjermaninë, po u bëjnë thirrje qytetarëve të largohen nga Libani. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama ndan foto nga turistët në Kalanë e Rozafës
Artikulli tjetërRindërtimi, Rama: 85 pallate dhe 996 apartamente gati brenda vitit në Spitallë