Ballina Aktualitet

Dule: Procesi zgjedhor në Himarë, më absurdi i mundshëm

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule deklaroi sot se procesi zgjedhor në Himarë është më absurd i mundshëm që mund të ndodhte.

Në një prononcim për mediet nga Himara, Dule u shpreh se, “ky është një proces i cili mbështetet në një dekret presidencial, i cili është ankimuar nga PBDNJ dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë në lidhje me kushtetutshmërinë e këtij dekreti”.

Dule theksoi se, Himara nesër do të ngrihet me dy kryebashkiakë të zgjedhur.

“Mandati i Freid Belerit nuk është ndërprerë me vendim të formës së prerë është për t’u shqyrtuar në KAS ankimimi i PBDNJ dhe Fredi Belerit. Ankimime të kryera brenda hapësirës kohore që parashikon ligji”, tha ai.

Dule u shpreh se, janë transferuar 311 persona në bashkinë Himarë si dhe shtoi se nga këta, 93 ka indicie se kanë transferuar gjendjen civile edhe përtej kohës, pasi ishte shpallur dekreti i Presidenti për zgjedhje.

Dule i bëri thirrje SPAK-ut që të veprojë.

“Shkelje flagrante të cilat janë kallëzuar në SPAK nga kandidati Petro Gjikuria, por ende nuk kemi asnjë veprim nga ana e SPAK”, tha ai.

Po ashtu, shtoi Dule, “kandidati i PS pohoi me zë e figurë se ka shpërndarë mbi 1200 tituj pronësie dhe në sirtarët e Kadastrës janë dhe plot 600 të tilla për t’u shpërndarë. Çfarë mund të presë një organ drejtësie përballë pohimeve të tilla? Por fatkeqësisht nuk kemi asnjë organ drejtësie”.

Nga ana tjetër, theksoi Dule, “në këto zgjedhje plot 6157 nga 23 074 zgjedhës pra mbi 25% u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mos nxjerrjen e VKM përkatëse nga qeveria për të votuar me karta identiteti dhe pasaporta që u ka kaluar data e skadencës”.

Deri tani, shtoi ai, janë 600 persona që u është ndalur pjesëmarrja në zgjedhje.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Mbi 86 mijë vizitorë në 7 muaj në Muzeun “Gjergj Kastrioti” në Krujë
Artikulli tjetërManastirliu apel maturantëve; Sot afati i fundit i fazës së parë të aplikimit për në universitet