Ballina Ekonomi

Reduktohet më tej koha e rimbursimit të TVSH-së

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Rimbursimi i TVSH-së po kryhet me afate të përshpejtuara nga administrata tatimore. Kjo ka ndikuar në uljen e mëtejshme të kohës mesatare të rimbursimit të TVSH-së për bizneset, e cila në 6-mujorin e parë të vitit 2024 raportohet të jetë mesatarisht 35 ditë.

Gjithashtu, stoku i detyrimeve të prapambetura sa i përket rimbursimit të TVSH-së rezulton zero në fund të 6-mujorit I të këtij viti, ashtu siç ishte edhe në fund të vitit 2023.

Koha mesatare e procesimit të kërkesave për rimbursim të TVSH-së ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm, ndërkohë që në vitin 2019 koha e rimbursimit arrinte deri në 160 ditë, duke sjellë për pasojë edhe stok të detyrimeve të prapambetura sa i përket rimbursimit të TVSH-së.

Sipas të dhënave të tatimeve, gjatë 6-mujorit të parë 2024 ka patur 1367 kërkesa për rimbursim të TVSH-së, nga të cilat janë miratuar 816 kërkesa.

Administrata Tatimore ka një sistem të dedikuar elektronik aplikimi që nga viti 2022 sa i përket rimbursimit të TVSH-së dhe në të gjitha rastet kur bizneset nuk i nënshtrohen kontrolleve të thelluara, ata përfitojnë brenda afateve të reduktuara rimbursimin e TVSH-së.

Sipas të dhënave, rimbursimet për periudhën 6-mujore 2024 janë 13.3 miliardë lekë, ose 4.1 miliardë lekë më shumë se 6-mujori i parë 2023.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Biden: Nëse mjekët më këshillojnë, mund të tërhiqem nga gara presidenciale
Artikulli tjetërOsmani takohet me kancelarin Scholz, diskutojnë për integrimin euroatlantik të Kosovës