Ballina Bota

BERLIN – Merkel mbush 70 vjeçe, Steinmeier: Model i demokracisë

BERLIN, 16 korrik /ATSH-DPA/- Angela Merkel ishte modeli dhe tipari dallues i demokracisë në vend, tha presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier me rastin e ditëlindjes së ish-kancelares që nesër më 17 korrik mbush 70 vjeçe.

“E veçanta e këtij përvjetori është se 70 vitet e jetës suaj mund të ndahen saktësisht në dy gjysma. 35 vitet e para deri në rënien e Murit të Berlinit dhe 35 vitet e dyta në lirinë që keni dëshiruar”, shkroi Steinmeier në një mesazhi urimi.

“Në 35 vitet e dyta, Merkel formësoi me vendosmëri rrugën e një Gjermanie të bashkuar si kancelare”, tha ai.

Merkel ishte kancelare për 16 vjet, nga 2005 deri në 2021, dhe ishte gruaja e parë që mbajti këtë detyrë. Ajo ishte gjithashtu kancelarja e parë që u rrit në Gjermaninë Lindore.

Ish-kancelarja feston nesër ditëlindjen e saj të 70-të.

“Për ju ka qenë gjithmonë e rëndësishme të theksoni vlerën e lirisë dhe vlerën e një shoqërie të ndritur”, shkroi presidenti.

“Argumentet tuaja ishin kaq bindëse pasi ju e dinit më mirë nga përvoja juaj vlerën e paçmuar të jetës në një demokraci liberale”, tha ai.

Steinmeier shërbeu si ministër i Jashtëm dy herë nën drejtimin e Merkel – nga 2005 në 2009 dhe pastaj sërish nga 2013 në 2017.

“Unë personalisht mbaj mend jo vetëm tensionet e negociatave – të cilat ju i ndërmorët me këmbëngulje të pakufishme dhe një ndjenjë të patundur detyre, por edhe qetësinë, humorin dhe humanizmin tuaj”, shtoi Steinmeier. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAkulloret me përbërës të rrezikshëm, Gjylameti-kreut të KLSH: AKU e ka tërhequr nga tregu
Artikulli tjetërSHBA – Trump shfaqet për herë të parë në publik që pas atentatit