Ballina Aktualitet

Tabaku: Lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, elementë kyç në procesin e integrimit

 

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, njëherësh Kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian gjatë mbledhjes së këtij këshilli nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit që është lënë pas dore nga qeveria socialiste prej disa vitesh.

Në mbledhjen e kësaj radhe i pranishëm ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla, pasi në fokus ishte çështja e rendit publik.

Duke folur për procesin e Berlinit, Tabaku u shpreh se “procesi i Berlinit u ideua si një urë tjetër bashkëpunimi dhe fuqizimi të një lidhje fizike por që duhet të ishte edhe institucionale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Procesi, kishte idenë dhe buronte nga filozofia e ofrimit tek vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm të granteve dhe mundësive për zhvillimin infrastrukturor, por edhe si një mundësi për të fuqizuar edhe më shumë institucionet demokratike të vendit. Në pak fjalë Procesi Berlinit është një proces integral i Integrimit Europian”.

“Si pjesë e Procesit të Berlinit një rëndësi të veçantë kanë dhe angazhimet dhe detyrimet që lidhen me lëvizshmërinë dhe sigurisht kontrollin e territorit. Lëvizja në rajon me kartat e ID është një nga lehtësimet e para që erdhi, por kjo sigurisht vjen me sfida për zbatimin e saj. Lufta kundër terrorizmit dhe plani i përbashkët me vendet e BP si dhe lufta kundër krimit të organizuar janë dy elementë kyç që kanë rëndësi jo vetëm për procesin e Berlinit, por njëkohësisht dhe për kapitullin 24 si dhe strategjinë kundër krimit të organizuar 21-15”, tha Tabaku.

Tabaku i kujtoi ministrit Balla se ende janë të freskëta skenat e shqiptarëve që shkojnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu Tabaku i kujtoi Ballës se ka rëndësi që Policia e Shtetit të mos jetë krahu i djathtë i grupeve kriminale.

“Një vit më parë aksionet e SPAK dëshmuan lidhje të krimit të organizuar me drejtues të lartë të policisë, po ashtu treguan se si drejtues të policisë kishin kontakte të papërshtatshme përmes platformave të enkriptuara me figura të rëndësishme të botës së krimit. E gjitha kjo vjen kur Shqipëria që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka pasur histori dhe dosje si ajo e Dibrës ku drejtues policie bashkërendonin me persona me precendentë penalë blerjen e votave” u shpreh Tabaku gjatë fjalës së saj hapëse.

Tabaku u shpreh se “një dosje aq famëkeqe saqë u përfshi në një nga prioritet e Bundestag. Problemet e lidhjes së policisë me botën e nëndheshme janë një kambanë alarmi për procesin e integrimit europian në lidhje me forcimin e shtetit të së drejtës, kur policia shqiptare gjoja ka kaluar një proces vetingu. Nga ky proces nuk u zbuluan dot as lidhjet mafioze të disa drejtuesve të lartë të policisë dhe as përdorimi i aplikacioneve të enrkiptuara duke dëshmuar cekësinë e këtij procesi vetingu dhe krizën reale të vendit tonë; mungesën e një policie në shërbim të qytetarëve dhe hetimin e plotë të ngjarjeve”.

Një situatë e tillë, vijoi Tabaku, ka krijuar perceptimin, e drejtë, që policia jo vetëm që nuk është një nga hallkat parandulese të korrupsionit por fatkeqësisht në disa raste tejet specifike është kthyer në një krah në shërbim të krimit të organizuar.

“E vërtetë, masat që ka ndërmarrë policia dhe ministria në lidhje me krimin kibernetik janë në rritje, mirëpo sot e kësaj dite institucioneve shqiptare nga ekzekutivi tek parlamenti janë sulmuar dhe hakeruar, por duket se policia ka qenë inekzistente në parandalimin e tyre. Bashkëpunimi me partnerët tanë, që ministri do të na parashtrojë me gjasë si një argument, është thjesht një iluzion nëse ne i referohemi lidhjes së ngushtë dhe problemeve dhe shqetësimeve që policia shtetit ka me krimin e organizuar. Probleme dhe shqetësime që prej mbi një dekade mbeten të njëjta dhe të pa adresuara”, tha Tabaku.

Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Toni Gogu tha se “në 10 vitet e procesit të Berlinit kurorëzimi i me një plan rritje në samitin e Tiranës, ishte mesazhi më i mirë për të gjithë, për shkak se jemi duke folur për gjëra konkrete”.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Revanshi”, në pranga i kërkuari Xhelal Rraja
Artikulli tjetërSHBA – Zelensky apel NATO-s: Na ndihmoni, të mos presim zgjedhjet amerikane të nëntorit