Ballina Aktualitet

Apeli i Ambasadorit të OSBE-së: Reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, organizuan sot tryezën me temë “Zgjedhjet 2025: Çfarë duhet të bëjë KQZ-ja për të përmirësuar administrimin e zgjedhjeve”.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran në fjalën e hapjes në këtë tryezë deklaroi se, reforma zgjedhore duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë

Tarran tha se, qëllimi i këtij takimi është të evidentojmë dhe diskutojmë çështjet që ndikojnë tek administrimi i efektshëm i procesit zgjedhor të vitit 2025.

“Me afrimin e zgjedhjeve për Kuvendin është shumë e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje sipas përparësisë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it me qëllim përmirësimin e procesit zgjedhor”, u shpreh ai.

Tarran theksoi se, “diskutimet e ditës së sotme janë tejet të rëndësishme pasi trajtojnë sfidat dhe mundësitë kryesore në kuadrin e administrimit të zgjedhjeve”

“Duhet të kuptojmë sa më mirë vështirësitë që hasim gjatë procesit nga pengesat administrative tek ato teknologjike dhe arsimore, në mënyrë që të kemi përmirësim të vazhdueshëm”, tha ai.

Tarran shtoi se, KQZ ka treguar vullnet për të përmirësuar më tej funksionimin e institucionit dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme ta ndihmojë sipas nevojës.

“Presim me padurim të diskutojmë sesi institucionet publike i administrojnë denoncimet gjatë fushatave zgjedhore dhe rrugët për të përmirësuar raportimin si edhe sfidat në lidhje me administrimin zgjedhor, besueshmërinë e votimit elektronik, mbikëqyrjen e fushatave të partive politike nga ana e KQZ-së dhe përmirësimin e edukimit zgjedhor për pakicat dhe për personat me aftësi të kufizuara”, u shpreh Tarran.

Ai shtoi se, këto sfida mund t’i tejkalojmë vetëm me anë të bashkëpunimit, dialogut të hapur dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

“‘OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe ndihmë teknike sipas nevojës, duke nxitur një mjedis besimi dhe transparence në procesin zgjedhor”, tha ambasadori.

“Ndërsa KQZ luan rol kyç për administrimin e zgjedhjeve ia vlen të theksohet se liria, ndershmëria, miradministrimi dhe transparenca e procesit zgjedhor nuk janë vetëm përgjegjësi e KQZ-së. Administrimi i efektshëm i zgjedhjeve është përpjekje kolektive që kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin të të gjithë aktorëve, duke përfshirë partitë politike, institucionet qeveritare dhe organet ligj zbatuese. Secili prej këtyre aktorëve luan rol jetik për nxitjen mjedisit demokratik”, u shpreh Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran.

Tarran u bëri thirrje aktorëve politikë që, “ta bëjnë reformën zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në mënyrë që t’u lejojnë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatimin. Vonesat e mundshme gjatë arritjes së këtij qëllimi të përbashkët kufizojnë kohën në dispozicion të KQZ-së për të bërë përgatitjet e nevojshme, ç’ka mund të ndikojë tek cilësia e proceseve zgjedhore”.

Tarran foli edhe për votën e diasporës.

“Kemi një sfidë të pazgjidhur ende, zbatimin e efektshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese , duke përfshirë këtu edhe çështjen e votimit nga jashtë vendit. Siç e dini, nuk ka standarde të përcaktuara në rajonin e OSBE-së, e as rekomandime të OSBE-ODIHR-it në lidhje me votimin nga jashtë vendimit, prandaj i takon secilit shtet të zbatojë atë model që i përshtatet më mirë sipas kontekstit”, tha Tarran.

Tryeza fokusohet te temat si raportimi i institucioneve publike dhe administrimi i denoncimeve gjatë fushatës zgjedhore: sfidat dhe mundësitë për përmirësim. Sfidat e administratës zgjedhore: Risqet dhe mundësitë për përmirësimin e proceseve zgjedhore. Problematikat që lidhen me implementimin e votimit elektronik. Problematikat lidhur me fushatën e partive politike dhe monitorimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Problematikat në lidhje me edukimin e zgjedhësve, veçanërisht për minoritetet dhe PAK.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFSHF miraton datat e aktiviteteve kombëtare për edicionin futbollistik 2024-2025
Artikulli tjetërRama: Projekti i Muzeut “Besa”, pjesë e finalistëve për trofeun e “World Architecture Festival”