Ballina Ekonomi

Ndryshimet klimatike, diskutohet strategjia proaktive për menaxhimin e risqeve

TIRANË, 5 korrik /ATSH/ Mbi 50 pjesëmarrës nga institucione private dhe publike nga sektorët e energjisë, transportit, bujqësisë, turizmit, zhvillimit urban dhe sektorët financiarë, diskutuan sot në Tiranë, mbi “Analizat e Riskut Klimatik dhe Strategjitë e Zvogëlimit të Riskut për Institucionet Financiare Private dhe Publike”.

Eventi synoi të rrisë ndërgjegjësimin për risqet dhe mundësitë nga ndryshimet klimatike, dhe të krijojë një udhërrëfyes për përfshirjen e sektorit privat në zbatimin e masave të përshtatjes në Shqipëri.

Ndryshimet klimatike kanë një ndikim të rëndësishëm në biznes, dhe ky fakt thekson nevojën për strategji proaktive për të menaxhuar risqe si ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe kosto më të larta operative.

Gjatë takimit, u theksuan barrierat dhe mundësitë financiare që burojnë nga kalimi në një ekonomi të gjelbër, dhe rëndësinë e përgjegjësisë sociale të korporatave. Instrumentet efektive të financimit të klimës dhe strategjitë për zvogëlimin e risqeve u përcaktuan si thelbësore për mobilizimin e kapitalit privat për projekte që synojnë qëndrueshmërinë ndaj klimës.

Pjesëmarrësit ekspertë të linjës, prezantuan partneritetet e suksesshme publike-private (PPP) dhe modele inovative të financimit. Ndërsa diskutimet u përqendruan në sfidat specifike të sektorëve, në zgjidhje dhe rekomandime aktive për të përmirësuar qëndrueshmërinë ndaj klimës në Shqipëri.

Kjo nismë është pjesë e Procesit të Planifikimit Kombëtar të Adaptimit (NAP), financuar nga Fondi i Klimës së Gjelbër dhe zbatuar nga PNUD.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPavlefshmëria e mandatit të Belerit, Kryeministria i kërkon KQZ njoftimin mbi vendimmarrjen
Artikulli tjetërBRUKSEL – Von der Leyen paralajmëron Orbanin: Zbutja nuk do ta ndalojë Putinin