Ballina Flash

Humbën dokumentin e identifikimit, policia e Elbasanit ndihmon 2 turistët çekë

TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Policia e Elbasanit ndihmoi 2 turistë çekë të cilët denoncuan humbjen e dokumentit të identifikimit.

Sipas njoftimit të policisë, “mbrëmjen e djeshme, pas një telefonate nga një turist çek që kërkonte ndihmë sepse i kishte humbur dokumenti i identifikimit, gjatë kohës që lëvizte me biçikletë, bashkë me një turiste tjetër çeke, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, shërbimet e Policisë iu kanë shkuar në ndihmë 2 turistëve dhe së bashku me ta kanë kërkuar përgjatë itinerarit të lëvizjes, por nuk kanë mundur ta gjejnë dokumentin e identifikimit”.

Më pas, turistët janë mirëpritur në ambientet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe turisti që kishte humbur dokumentin e identifikimit u pajis me vërtetim për humbje dokumenti, dokument që mund ta përdorë për të marrë shërbime në Republikën e Shqipërisë dhe për kalimin në pikat kufitare.

Punonjësit e Policisë i kanë shoqëruar turistët në vendin e tyre të akomodimit. Turistët çekë kanë falënderuar punonjësit e Policisë për ndihmën e ofruar. Policia e Elbasanit apelon për të gjithë qytetarët, që nëse gjejnë dokumente apo sende të tjera personale të turistëve apo vizitorëve, t’i dorëzojnë ato në Polici ose të telefonojnë në numrin 112.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManastirliu: Rritje pagash edhe për punonjësit e sigurisë në shkolla
Artikulli tjetërNoka: Bashkërendim me aleatët për protestën e 11 korrikut