LONDER, 1 korrik /ATSH/ – Politikanët kryesorë evropianë kanë paralajmëruar përparimin e së djathtës ekstreme, pasi Tubimi Kombëtar (RN) i Marine Le Pen arriti rezultate historike në zgjedhjet e parakohshme të Francës, duke e sjellë partinë kundër imigracionit më afër se kurrë me pushtetin, shkruan theguardian.com.
Rezultatet zyrtare treguan se RN dhe aleatët e saj morën 33% të votave kombëtare, shumë përpara aleancës së krahut të majtë Fronti i Ri Popullor me 28%, me bllokun centrist të Emmanuel Macron që u ul në vendin e tretë me 20% të votave.
Është e paqartë nëse partia e Le Pen do të dalë si më e madhja në raundin përfundimtar të votimit të së dielës së ardhshme, apo nëse presidenti francez do ta gjejë veten duke u përballur me një fuqi parlamentare të tkurrur, duke e lënë ekonominë e dytë më të madhe të BE-së në një stazë kaotike.
Pasi fitimet rekord u bënë të dukshme, kryeministri polak, Donald Tusk, paralajmëroi kundër politikanëve që mbështesnin presidentin rus, Vladimir Putin, dhe kërkonin pushtet të papenguar.
“Ata e duan Putinin, paranë dhe pushtetin pa kontroll. Dhe ata tashmë janë në pushtet ose po punojnë për të në Evropën Lindore apo Perëndimore. Ata po i bashkohen radhëve në parlamentin evropian,” shkroi Tusk në X.
Ndërsa ai nuk përmendi emrat e partive, kuptohet që komentet e tij u shkaktuan nga zgjedhjet franceze. Komentet pasojnë gjithashtu vendimin e liderit hungarez Viktor Orbán për të bashkuar forcat me Partinë e Lirisë Austriake të ekstremit të djathtë dhe grupin populist çek ANO në një përpjekje për të krijuar një aleancë të re në Parlamentin Evropian.
Një zëdhënës i Kremlinit tha se ”Rusia po i ndiqte rezultatet e zgjedhjeve franceze shumë nga afër”, por zyrtarët rusë minimizuan çdo ndryshim në marrëdhëniet midis Parisit dhe Moskës.
“Ne nuk duhet të presim një përmirësim në marrëdhëniet midis Parisit dhe Moskës pas zgjedhjeve legjislative”, tha Vladimir Dzhabarov, nënkryetar i komitetit të punëve të jashtme, raportoi Agence France-Presse, duke cituar mediat lokale.
Në Gjermani, Michael Roth, një anëtar kryesor i socialdemokratëve të kancelarit Olaf Scholz, ia vuri një pjesë të fajit qeverisë gjermane për triumfin e ekstremit të djathtë.
“Ne nuk e pyetëm veten mjaftueshëm se si mund të mbështesim më mirë presidentin liberal pro-evropian, Macron,” tha Roth, kryetar i komitetit të punëve të Jashtme të Bundestagut, për edicionin gjerman të Politico.
“Ne nuk tregojmë konsideratë të mjaftueshme për debatet politike dhe problemet e vendeve të tjera,” shtoi ai, duke nënvizuar se alternativa ndaj Macron “nuk është më ish-presidenti konservator Nicolas Sarkozy, por më tepër një nacionaliste e ekstremit të djathtë si Marine Le Pen”, shtoi ai. /os/























