Ballina Ekonomi

Rama: Edhe pak ditë nga hapja për qarkullim e tunelit të Llogorasë


TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, do të jetë i hapur për pak ditë për qarkullimin e mjeteve.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga tuneli, të cilin e përshkuan teksa udhëton drejt Dhërmiut në jug.

“Për Dhërmi nga tuneli spektakolar i Llogorasë. Edhe pak ditë hapja për qarkullimin e lirë”, u shpreh Rama.

Më herët, Kryeministri ka njoftuar se ky tunel do të përurohet në 5 korrik 2024, duke shkurtuar distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.

Me një gjatësi prej afro 6 kilometrash, tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësoreve.

Lartësia e tunelit kryesor është 4. 7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës siç parashikohet në kodin e sigurisë. /m.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCensi 2023, Dhuli: 2 402 113 banorë në Shqipëri
Artikulli tjetërPolicia: Funksionim normal i sistemeve, masa për siguri kibernetike