Ballina Aktualitet

Padia ndaj Bardhit, Olsi Rama paraqitet në SPAK: Dua të dalë e gjithë e vërteta

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Olsi Rama është thirrur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ai u paraqit në dyert e SPAK në orën 13:30 minuta. Gjatë qëndrimit në SPAK, Rama mori zarfin me vendimmarrjen e prokurorisë mbi kallëzimin për “shpifje” të bërë prej tij ndaj deputetit demokrat, Gazmend Bardhi, lidhur me çështjen e dosjes “Xibraka”.

Olsi Rama, në dalje të SPAK nuk bëri të njohur për publikun përmbajtjen e zarfit.

“Çfarë përmban zarfi? Atë se çfarë ka vendosur prokuroria, kur të hap zarfin do ta shoh. Kur ta hap, do ta them nëse është e domosdoshme. E kam bërë kallëzimin pasi e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve dhe dua që të dali e gjithë e vërteta”, u shpreh Rama.

Ai nënvizoi se nuk ka asnjë njohje merr personat e përfshirë në dosjen Xibraka.

“Nuk kam asnjë lidhje. Ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti, ia kam marrë automjetin një personi në atë kohë për të bërë një udhëtim dyditor në Selanik. S’kam lidhje fare me personat që përmendni, vetëm një person njoh. I kam mohuar gjithmonë akuzat pasi s’ka asnjë të vërtetë”, tha ai.

Ai tha se është i gatshëm që të vijë në SPAK, sa herë që të jetë e nevojshme.

“Kurdo që të jetë nevoja. Unë  e kam bërë kallëzimin sepse e kam cilësuar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe”, përfundoi Olsi Rama para gazetarëve.

Pak javë më parë, Bardhi bëri një denoncim publik ku pretendonte se Olsi Rama ishte i përfshirë në organizatën kriminale të Xibrakës, duke i dërguar një letër më pas kreut të SPAK, Altin Dumanit, për të nisur hetime për këtë çështje. Këto akuza, Olsi Rama i quan shpifje, dhe ka ngritur dy padi ndaj Bardhit.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Titujt e pronësisë, bazë për të ndërtuar ekonomi familjare
Artikulli tjetërKPK konfirmon në detyrë gjyqtaren e Tiranës, Vjollca Spahiu