Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock kritikoi ashpër qeverinë izraelite të ekstremit të djathtë për dhunën e shtuar të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli gjatë një vizite sot në Jerusalem.
Baerbock kërkoi gjithashtu që grupi militant palestinez Hamas të pranojë propozimin e paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden, duke e quajtur atë rrugën e vetme realiste drejt një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve izraelitë që mbahen në Rripin e Gazës.
“Hamasi ka në dorë që të lehtësojë menjëherë vuajtjet e njerëzve në Gazë”, tha Baerbock.
Baerbock akuzoi gjithashtu ekstremistët e djathtë në qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netayahu për nxitjen e konfliktit në Bregun Perëndimor.
“Pjesë të koalicionit qeverisës izraelit po rrezikojnë interesat e sigurisë izraelite në planin afatgjatë me politikën e tyre agresive të vendbanimeve”, tha Baerbock pas një takimi me homologun e saj izraelit, Israel Katz.
Ajo kritikoi gjithashtu raportet e kushteve brutale për palestinezët e arrestuar nga Izraeli dhe raportet e tjera për të drejtat e supozuara të abuzuara nga forcat izraelite.
“Raportet tronditëse të kushteve mizore të paraburgimit për të burgosurit palestinezë në kampet dhe burgjet izraelite nuk përputhen me pretendimin e Izraelit për të qenë një shtet demokratik dhe kushtetues”, tha Baerbock.
Ajo bëri thirrje që Izraeli të ofrojë një shpjegim për imazhet “shqetësuese” të operacioneve të ushtrisë izraelite në Jenin, të cilat kundërshtojnë ligjin ndërkombëtar humanitar. //a.i/























