TIRANË, 21 qershpr/ATSH/ Instituti i Shëndetit Publik ka ndarë disa këshilla për qytetarët në këto ditë të nxehta që kanë përfshirë vendin tonë, ku ditën e sotme temperatura shënoi 41 gradë Celsius.
ISHP këshillon të shmanget ekspozimi e drejtpërdrejtë në diell, kur është më i fortë, zakonisht midis orës 11:00 deri 15:00, por edhe më gjatë në varësi të vendit ku jeni.
Rekomandohet qëndrimi në hije midis orëve me rrezatim ultraviolet (UV) më intensiv.
ISHP thekson se qytetarët duhet të veshin rroba që mbulojnë krahët dhe këmbët, të përdorin kapele me strehë të gjerë për të mbrojtur fytyrën dhe qafën, si dhe të përdorin syze dielli për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit të syve.
Këshillohet gjithashtu të konsumohen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Të evitohen pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë, si dhe të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm.

/k.s/r.e/























