FINLANDË, 13 qershor /ATSH-DPA/- Aleatët perëndimorë do të bashkojnë forcat për të kundërshtuar provokimin rus, tha sot ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në qytetin bregdetar finlandez, Porvoo.
“Nëse provokimet e Rusisë përpiqen të na ndajnë, ne do të afrohemi më shumë”, tha Baerbock përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Shteteve të Detit Baltik në Porvoo që nisi sot dhe pritet të përfundojë nesër.
“Siguria në rajon nënkupton siguri kundër Rusisë dhe jo me Rusinë”, tha Baerbock.
Këshilli i Shteteve të Detit Baltik u krijua në 1992 për të mbështetur transformimin politik dhe ekonomik të rajonit.
Ai përfshin tetë vende me një vijë bregdetare në Detin Baltik, si dhe Islandën dhe Norvegjinë.
Rusia u pezullua në mars 2022 pas pushtimit të saj në Ukrainë dhe u tërhoq në maj.
Baerbock vuri në dukje se rajoni ishte shtëpia e një rrjeti të dendur kabllosh të dhënash, rrugësh transporti dhe turbinash me erë.
“Vendet demokratike të këshillit do të kundërshtojnë kërcënimet komplekse hibride, nga ndërprerja e GPS dhe dezinformimi i mediave sociale deri te sabotimet te kabllot nënujore”, tha ajo. //a.i/























