Ballina Aktualitet

Gjykata e Lartë, burgim të përjetshëm Dritan Dajtit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Gjykata e Lartë rikthen burgun përjetë për Dritan Dajtin, duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Apelit që vendosi 25 vite heqje lirie për Dajtin.

Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi u shpall fajtor për vrasjen e katër efektivëve të Policisë, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, ngjarje e shënuar më 7 gusht të vitit 2009, në Durrës. Efektivët e Policisë ishin duke zhvilluar një operacion policor për arrestimin e Dajtit, por ky i fundit qëlloi mbi ta duke i lënë të vdekur.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Artur Kalaja vendosën të pranojnë rekursin e Prokurorisë, që kundërshtoi vendimin e Apelit që e dënoi Dajtin me 25 vite burg. Prokuroria kërkonte të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë teksa në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg. Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali në Berlin: Qeveria shqiptare do të kontribuojë në projektet e rimëkëmbjes së Ukrainës
Artikulli tjetërEuroja në rënie për të dytën ditë radhazi