Ballina Flash

Gjykata e Apelit njeh Berishën kryetar të PD, rrëzon ankimimin e Bashës

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Gjykata e Apelit vendosi që të rrëzojë ankimimin e Lulzim Bashës, duke e njohur Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.

Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se kjo është një ditë e mirë për demokratët. “Këto tre zonja sot treguan se e vërteta prevalon mbi urdhërat politikë”, tha Noka.

“Sot është një ditë e mirë për të gjithë demokratët. Zëri i tyre megjithëse në oazin e padrejtësisë u gjetën gjyqtarë me integritet që i dhanë zë të vërtetës, e cila po zvarritej prej tre vitesh”, tha Noka.

“E vërteta që demokratët janë ata që vendosin me vullnetin e tyre çdo gjë që ka të bëjë me Partinë Demokratike. Komenti yne është shumë i thjeshtë, demokratët janë të bashkuar, vendimi i gëzon ata. Thirrja është për çdo demokrat, shtëpia juaj ka qenë dhe është PD.

Kjo thirrje vlen për çdo demokrat, por jo për ata që e ndjejnë veten në krah të Edi Ramës.
Çdokush që e ndjen veten demokrat dhe në opozitë me këtë regjim, është i mirëpritur”, tha Noka.

“Ky është një vendim i formës së prerë që e kanalizon plotësisht këtë çështje”, shtoi Noka.

Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë ka qenë  ligjore, por me protesta dhe akuza të ndërsjella.

Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasha pas vendimit të Apelit për vulën: Shqipëria meriton më shumë
Artikulli tjetërRienergjizimi i PS-së, Rama: U shtuan 32 mijë anëtarë të rinj