Ballina Flash

Lidhja e Prizrenit, Banka e Shqipërisë publikon serinë e monedhave numizmatike

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Në 10 qershor 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit që përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, duke i paraprirë pavarësimit të trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane.

 

Ajo njihet gjerësisht si përpjekja e parë shtetformuese e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake, që prej kohës së Besëlidhjes së Lezhës (1444). Të detyruar nga rrethanat e kohës, pas firmosjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit (3 mars 1878) mes Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, ku shqiptarëve nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, atdhetarë nga katër vilajetet u mblodhën në Prizren më 10 qershor 1878, për t’i dhënë zgjidhje çështjes së njohjes së pretendimeve shqiptare nga Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit mori përsipër të adresonte tri çështje themelore për kohën: njohjen e kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare; shmangien e copëtimit të trojeve shqiptare në favor të monarkive ballkanike; dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një formacion shtetëror autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hap i parë për krijimin e shtetit të parë shqiptar, të pavarur e demokratik.

Këtë ngjarje historike, Banka e Shqipërisë e nderoi në vitin 2013 përmes dy monedhave numizmatike përkujtimore, me tematikë “135-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Monedhat janë prodhuar nga kompania “Sunshine Minting Inc.”, SHBA dhe vizatimet e tyre janë realizuar nga piktori Petraq Papa. Këto monedha gjenden në shitje në dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi mbledh grupin parlamentar të PS-së, diskutohet axhenda e javës
Artikulli tjetër“Albanopolis”, fitues i Kampionatit Kombëtar të Dancit Sportiv