BERLIN, 4 qershor /ATSH-DPA/ – Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) vazhdon të humbasë gradualisht mbështetjen e publikut teksa përballet me një sërë pengesash, sipas sondazhit të fundit.
Në një sondazh të publikuar të martën nga instituti ”Insa” për gazetën ”Bild”, 15,5 për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për AfD nëse zgjedhjet federale do të mbaheshin këtë javë.
Kjo do ta vendosë AfD-në pas socialdemokratëve të kancelarit Olaf Scholz, të cilët janë në vendin e dytë me 16%.
Blloku konservator CDU/CSU, dy parti që efektivisht veprojnë si një në nivel kombëtar mbetet forca më e fortë me 30,5%.
AfD është tronditur nga polemika javët e fundit, me kandidatin kryesor të partisë për zgjedhjet evropiane, Maximilian Krah, i ndaluar të bënte deklarata publike pasi tha se jo të gjithë anëtarët e forcave paraushtarake naziste SS ishin kriminelë.
Kandidati i dytë i partisë në zgjedhjet evropiane, Petr Bystron, gjithashtu u tërhoq nga fushata pasi policia kontrolloi shtëpinë e tij në Berlin.
Bystron është nën hetim për pastrim parash dhe korrupsion dhe ka lidhje me rrjetet pro ruse./ /os/























