BERLIN, 1 qershor /ATSH-DPA/ – Kryetarja e Komitetit të Mbrojtjes në parlamentin gjerman, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, ka bërë thirrje për rekrutimin e 900 000 rezervistëve gjermanë në dritën e qëndrimit luftarak të Rusisë nën drejtimin e presidentint, Vladimir Putin.
“Putini po stërvit popullin e tij për luftë dhe po i pozicionon ata kundër Perëndimit. Prandaj ne duhet të bëhemi të aftë për t’u mbrojtur sa më shpejt të jetë e mundur”, i tha Strack-Zimmermann i Demokratëve të Lirë (FDP), një partner i vogël në koalicionin qeverisës të Gjermanisë, grupit mediatik ”Funke” në komentet e publikuara të shtunën.
”Industria ruse është e fokusuar në prodhimin e armëve. Janë shtypur libra shkollorë që e portretizojnë Gjermaninë si një shtet agresor. Fëmijët e moshës së shkollës fillore trajnohen për të përdorur armë. E gjithë kjo është e frikshme”, shtoi ajo.
Strack-Zimmermann u bëri thirrje forcave të armatosura të Bundeswehr-it të Gjermanisë që të “aktivizojnë rreth 900 000 rezervistët që kemi”.
”Që kjo të ndodhë, ushtria duhet së pari të regjistrojë ata që kualifikohen”, shtoi ajo.
“Nëse do të mund të rekrutonim vetëm gjysmën e tyre si rezervistë me ekspertizën e tyre përkatëse, kjo do të ishte një pasuri e pabesueshme”, tha Strack-Zimmermann.
Kryetari i shoqatës së rezervistëve të Gjermanisë, Patrick Sensburg, parashtroi një propozim të ngjashëm disa javë më parë, duke sugjeruar regjistrimin sistematik të gjendjes shëndetësore dhe disponueshmërisë së të gjithë ish-anëtarëve të Bundeswehr-it, në mënyrë që të jenë në gjendje t’i vendosin ata në sigurinë e vendit dhe gradualisht t’i lejojnë ata të stërviten përsëri.
Në Gjermani, rezervistët përfshijnë të gjithë ish-anëtarët e shërbimit ushtarak si dhe ushtarët që kanë shërbyer për një periudhë të gjatë kohore.
Megjithatë, nuk përfshihen ish-ushtarët që shërbyen në forcat e armatosura të ish-Gjermanisë Lindore komuniste dhe nuk iu bashkuan kurrë Bundeswehr-it, pas ribashkimit gjerman në vitin 1990./ a.jor.













