PRAGË, 30 maj /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika Çeke nënshkruan sot një memorandum në Pragë për të bashkëpunuar në luftën kundër fushatave të dezinformimit.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe homologu i tij çek, Jan Lipavský nënshkruan marrëveshjen, e cila synon t’i kundërvihet Rusisë.
Blinken tha se bashkëpunimi do të ndihmonte për të trajtuar në mënyrë efektive dezinformimin, i cili është “një helm i injektuar” në demokracitë tona nga kundërshtarët tanë.
Lipavský tha se Rusia po shënjestron demokracitë në mbarë botën me luftë kibernetike, propagandë dhe operacione të tjera.
Ai vuri në pah rrjetin e propagandës pro-rus Zëri i Evropës, të cilin Republika Çeke dhe BE-ja e kanë vendosur së fundmi në listën e subjekteve të sanksionuara.
Blinken do të qëndrojë në Pragë deri të premten dhe do të marrë pjesë në një takim jozyrtar të ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Ai tha se Republika Çeke po jep ende një kontribut të rëndësishëm në aleancë, 20 vjet pas anëtarësimit.//a.i./













