Ballina Aktualitet

Kreu i SPAK: Investimet në prona të luajtshme e të paluajtshme, mënyra kryesore për pastrimin e parave

TIRANË, 22 maj/ATSH/- Kreu i SPAK, Altin Dumani ka prezantuar sot raportin vjetor të punës së Prokurorisë së Posaçme në Komisionin parlamentar të Ligjeve.

Dumani i është përgjigjur pyetjes së drejtuar nga deputetët e komisionit për çështje të ndryshme ndër të cilat lidhur edhe me tipologjinë e shfaqjen së krimit të organizuar.

Ai tha se hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta duke pasur dhe kontrolluar trafikun e ciklit të mbyllur dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës, përfshirë edhe ato në Amerikën Latine.

“Disa prej veçorive janë anëtarësia prej 20-25 persona, aktiviteti polikriminal, dhuna për kontroll territori, përfshirja e femrave në pozicione dytësore, vrasje të sofistikuara me pagesë, komunikimet e koduara, dhe konvertimi i parave në kriptovaluta”, evidentoi Dumani.

Ai e konsideroi shqetësim veprimtari e sofistikuar e grupeve kriminale të cilat operojnë nëpërmjet coll-center.

Gjithashtu, Dumani deklaroi sot se “Tregjet kriminale në Shqipëri paraqesin situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë-Kruja”.

“Në Tiranë dhe qytetet bregdetare, grupet merren kryesisht me pastrimin e parave, ndërsa trafiku i narkotikëve është shfaqur problematik në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është i evidentuar në Durrës, Shkodër, Laç dhe Fushë-Krujë. Vrasjet dhe tentativat për vrasje janë të shpeshta në Durrës, Fushë-Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Në Fushë-Krujë është i pranishëm tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese si dhe makinat e vjedhura të cilat pastaj përdoren në ngjarje kriminale”, nënvizoi kreu i SPAK.

Dumani tha se investimet në prona të luajtshme dhe të paluajtshme mbetet mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë dhe zona turistike si Vlora, Durrësi dhe Lezha.

“Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose të afërm të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri përfshin përdorimin e bankave dhe bizneseve shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses përfaqësues të mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat kriminale në sektorin bankar për shtresëzimin e transfertave që pastaj do të transferoheshin po me ndihmën e biznesit vendas jashtë vendit”, deklaroi Dumani.

Kreu i SPAK ka shtuar se bashkëpunimi shumë i mirë me bankat e nivelit të dytë dhe FIU-Agjencia e Mbikqyrjes Financiare bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCameron: Në interesin tonë të përbashkët të ndihmojmë me procesin e paqtimit në Ballkanin Perëndimor
Artikulli tjetërGjekmarkaj në Londër, takim me kryetarin e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë