Ballina Bota

LONDËR – Ndihma e Britanisë së Madhe mbërrin në Gazë

LONDËR, 17 maj /ATSH-DPA/- Ndihma e Britanisë së Madhe ka mbërritur në Gazë si pjesë e dërgesës së parë duke përdorur një skelë të përkohshme në brigjet e rajonit.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se dorëzimi i 8400 strehimoreve plastike të përkohshme ishte pjesë e një përpjekjeje të përbashkët ndërkombëtare për të krijuar një rrugë detare për ndihmat në Gazë.

Më shumë ndihma britanike pritet të shpërndahen përmes skelës, e ndërtuar nga forcat e armatosura amerikane, në javët e ardhshme.

Por, ministrat theksuan se nevojitet punë e mëtejshme për të dorëzuar ndihmat në Gazë, veçanërisht duke përdorur rrugët tokësore.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha se rruga detare ishte vetëm një pjesë e tablosë më të madhe dhe rrugët tokësore ishin mjetet më efektive për të dërguar ndihmat në Gazë në shkallën e nevojshme.

“Qytetarët në Gazë janë në rrezik urie dhe në nevojë të dëshpëruar për furnizime – Izraeli duhet të sigurojë që rrugët tokësore të jenë të hapura dhe që ndihma të arrijë në mënyrë të sigurt atje ku është e nevojshme”, shtoi Cameron.

Britania e Madhe ka luajtur një rol mbështetës në ndërtimin e skelës, e cila u ankorua në breg të enjten, duke siguruar strehim për personelin amerikan në anijen ndihmëse të Flotës Mbretërore, “Cardigan Bay”. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjykata e Apelit cakton datën 11 qershor për shqyrtimin e vulës së PD
Artikulli tjetërPartizani në finalen e Superligës, pret fituesin e Vllaznia-Egnatia