Ballina Bota

FOKUS – UNRWA: Rreth 110 000 banorë janë larguar nga Rafahu

TEL AVIV, 10 maj /ATSH-DPA/- Rreth 110 000 banorë janë larguar nga Rafahu, në jug të Rripit të Gazës që kur ushtria izraelite mori nën kontroll pikën kufitare në qytet, tha sot Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

“UNRWA vlerëson se rreth 110 000 njerëz kanë ikur nga Rafahu duke kërkuar siguri”, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë në një postim në platformën X.

“Por, asnjë vend nuk është i sigurt në Rripin e Gazës dhe kushtet e jetesës janë mizore”, tha OKB.

“Shpresa e vetme është një armëpushim i menjëhershëm”, thuhet në postim.

Sipas autoritetit kufitar palestinez, vendkalimi kufitar i Rafahut me Egjiptin mbetet i mbyllur për dërgesat e ndihmave humanitare.

Ushtria izraelite tha se trupat ishin ende të dislokuara në lindje të Rafahut dhe në Al-Saitun në qendër të Rripit të Gazës.

Të hënën, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të pjesës lindore në Rafah që të largoheshin nga zona.

Më shumë se 1 milion persona të zhvendosur brenda vendit thuhet se jetojnë në Rafah.

Partnerët perëndimorë të Izraelit, kryesisht SHBA-ja, kanë paralajmëruar qeverinë izraelite për rrezikun e operacionit ushtarak në shkallë të gjerë në Rafah për shkak të pasojave të pritshme dramatike humanitare.

Pas masakrave në Izrael më 7 tetor, Izraeli kërkon të shkatërrojë plotësisht lëvizjen islamike palestineze Hamas, liderët e së cilës dyshon se fshihen në tunele nën Rafah, ku me sa duket mbahen edhe pengjet izraelitë.//a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolitikanë lokalë nga Gjermania vizitojnë Beratin
Artikulli tjetërReforma në Drejtësi, Balla: Prokurori, i pavarur dhe i lirë nga çdo ndikim politik