TIRANË, 9 maj /ATSH/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja gjatë një interpelance në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, lidhur me ligjin e Amnistisë, u shpreh se problemi i opozitës është brenda vetes dhe jo me amnistinë.
Sipas Manjës, ata që sot qajnë për amnistinë, dje kërkuan amnisti për ata që i prenë gishtat punonjëses së policisë gjatë një proteste.
“Vjen këtu e shet moral dhe ve dorën në zemër e të qan zemra për SPAK dhe viktimat e drejtësisë, kur ishte ti me zë e figurë që the se dua amnisti për ata që i prenë dorën e gishtat polices. Për ata që godasin punonjësit e Policisë së Shtetit kërkove amnisti. Vjen këtu tani e vë dorën në zemër dhe bën moralin e këtyre që liruam nga amnistia”, tha Manja.
“Ti je i pakënaqur me veten si njeri. Ty kur s’të kënaqi Berisha që të vuri ministër Drejtësie, s’ke për t’u kënaqur asnjëherë. E keni mundësi për të treguar vullnetin tuaj për të mbështetur SPAK, e keni mundësinë. Basha të shkojë në SPAK dhe të vihet në dispozicion të hetohet për Rrugën e Kombit, pasi i shpëtoi me raport mjeku. Shko aty dhe thuaj: kam një çështje të lobimit rus, që e ka pushuar prokuroria e Tiranës, ma heto pak. Kjo është dashnia për SPAK”, tha Manja.
“Është një çështje tjetër, që e ka thënë Strazburgu, në 48 faqe vendim, 21 janari, është krim shtetëror i pahetuar. Moralisht të jesh ministër i Brendshëm, ish-ministër i Brendshëm, të të vriten katër qytetarë të pafajshëm, dritën për diell në bulevard nga frëngjitë e Kryeministrisë, dhe të mos kesh detyrimin moral të vihesh në dispozicion të drejtësisë së re, ku është morali për SPAK. Nëse e doni realisht drejtësinë e re në SPAK, duhet të jemi të barabartë përpara ligjit të gjithë”, tha Manja.
Ministri i Drejtësisë nënvizoi se problemi i PD është Gazment Bardhin dhe grupi i deputetëve që i janë bashkuar ish-Kryeministrit Sali Berisha.
“Ju këtu ngrini furtunën në gotë se u bashkuan 116 vota, se keni hall politik, por mos barazoni veten me 8 fakirë, që vetë sanksioni dhe vepra për të cilën janë dënuar e kanë nga gjobë deri në tre vite. Meqenëse jemi këtu, po ju jap një shifër. Masa e dënimit të dhënë nga GJKKO për kontigjent të dënuarish ka qenë nga 8 muaj në 3 vite, ne ju kemi thënë nga 7 ditë deri në 1 vit e pesë muaj. Kjo është furtuna në gotë. Ka krisma, po ska krisma, e the vetë e ke nga media”, tha Manja.
“Ku janë 40 të dënuarit, 80 të dënuarit e SPAK, që kanë përfituar nga amnistia. S’ke emra sot. Ky parlament e ka shpirtin e gjerë, kur ti kesh emrat hajde…Nga 603 të dënuar që s’kanë përfituar nga kjo amnisti, 117 janë të GJKKO, zyrtarë të lartë, ish-zyrtarë, që po hetohen nga SPAK. Kjo është e vërteta. Bëni politikë, ju politikën e keni me Gazin jo me ne. Ju inatin e keni me opozitën tjetër që bashkoi votat”, përfundoi Manja.
/a.f/






















