TIRANË, 23 prill/ATSH/ Prokuroria Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka ankimuar vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për inceneratorin e Elbasanit, duke kërkuar dënimin me 10 vite burg të ish-ministrit Lefter Koka dhe 4 vite burg të ish-deputetit Alqi Bllako.
SPAK bën të ditur se kërkon nga Apeli i GJKKO dënimin e dy zyrtarëve, ashtu siç kishte kërkuar nga shkalla e parë. Konkretisht, për Kokën SPAK kërkon dënimin e tij për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa shkalla e parë e ka dënuar ish-ministrin e Mjedisit vetëm për akuzën e korrupsionit, teksa i konfiskoi dhe disa pasuri. SPAK kërkon dënimin e Kokës me 10 vite burg.
Ndërkohë për ish-deputetin Bllako, i cili u shpall i pafajshëm për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkon shpalljen fajtor të tij dhe që të dënohet 4 vite burg. Alqi Bllako për inceneratorin e Elbasanit ka marrë pafajësi, por mbahet ne burg, pasi është dënuar për inceneratorin e Fierit.
Dënimet për inceneratorin e Elbasanit
-Lefter Koka 8.6 vite burg me gjykim të shkurtuar, 5.8 vite burg
-Klodian Zoto 10 vite burg, gjykim i shkurtuar 6.8 vite burg
-Mirel Mertiti 10 vite burg, gjykim i shkurtuar 6.8 vite burg
-Stela Gugallja 7 vite burg, gjykim i shkurtuar 4.8 vite burg
-Alqi Bllako shpallet i pafajshëm
-Pellumb Abeshi 4 vite burg, gjykim i shkurtuar 2.8 vite burg
-Bardhyl Cabiri 2 vite burg
-Jonida Zeqo 4 vite burg, gjykim i shkurtuar 2.8 vite burg
-Serafin Papa 1.4 vite burg























