TIRANË, 22 prill/ATSH/- Në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, presidenti Bajram Begaj, përcolli një mesazh, nëpërmjet të cilit nxit qytetarët të përkujdesen për mjedisin ku jetojnë, në dobi të jetesës së fëmijëve të tyre dhe të ardhmes së përbashkët.
Presidenti Begaj bën thirrje të mos qëndrojë askush indiferent përballë emergjencës së ndryshimeve klimatike.
“Çdo hap i vogël drejt zgjidhjeve të qëndrueshme, është një hap i madh për shëndetin e planetit tonë. Bashkë kundër plastikës, për një të ardhme më të pastër”, thekson presidenti në një postim në rrjetet sociale.
Dita e Tokës u festua për herë të parë në vitin 1970 dhe tashmë është e koordinuar në nivel global nga Rrjeti Dita e Tokës dhe përkujtohet në gjithë botën çdo vit. Dita e veçantë e Tokës si ditë e miratuar edhe nga OKB, është mbajtur më 22 prill 1970, propozuar e themeluar në SHBA nga senator Gaylord Nelson, një veprimtar i spikatur mjedisor.
Edhe në Shqipëri pas viteve 1995, Dita e Tokës ka filluar të manifestohet nëpërmjet aktiviteteve të shumta ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit.























