TIRANË, 21 prill /ATSH/ Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, në Partinë e Lirisë nuk do të ketë më dualizëm.
I pyetur nga gazetarët në një konferencë për shtyp se sa mandate synon në zgjedhjet e 2025-ës PL, Meta tha se nuk është kjo çështja më me rëndësi.
“Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Çrrënjosja e këtij regjimi mafioz është beteja më e rëndësishme për Metën dhe PL. Fuqizimi i aksionit opozitar është me rëndësi, ndaj do të bëhemi shembull. Nuk ka më dualizëm në këtë forcë politike, kakofoni drejtimi dhe nuk ka më vlerësime në bazë të lidhjeve personale, nepotike apo krahinore. Do të ndërtohet një sistem matjeje kontributesh në kohë reale. Do të lejojmë lirinë e nënfraksioneve”, tha Meta.
Meta gjithashtu sulmoi edhe kreun e PD Lulzim Basha.
“Basha gënjen edhe për orën, kjo është provuar botërisht. Djegia e mandateve është një shërbim që ia ka bërë Basha, Ramës, kjo është e vërtetuar. Është fakt publik që Meta për shkak të interesit publik, shtyu zgjedhjet dhe datën e zgjedhjeve që vendosi Meta më pas, e caktoi vetë Lulzim Basha, më 10 tetor”, tha ai.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar dhe deklaratat e bëra ndaj Monika Kryemadhit, bashkëshortes së tij, nëse janë lojë apo të vërteta.
Ai tha se për të nuk ka asnjë lojë, ose loja është e hapur.
“Të gjitha këto ndryshime që po bën Ilir Meta dhe nga PL, nuk ka asnjë lojë. Ose loja është e hapur. Unë Ilir Meta, kandidat për president të PL, kam një program të qartë me 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus. Kam një ekip të qartë. Në planin financiar, se do pyesin qytetarët, se ku do të gjenden paratë, kam ekonomistin më të mirë, që është Petraq Milo”, tha ai.
Teksa u pyet për reagimet e ndërkombëtarëve pas sulmeve që ai ka bërë ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, Meta theksoi se, i qëndron me bindje qëndrimeve të tij.
“Jam i bindur se ata ndërkombëtarë që kanë bërë deklaratat, siç thoni ju, se unë nuk i ndjek, janë të lutur të dëgjojnë deklaratën. Ne mund të themi; na vjen shumë keq për vendet tuaja që janë kthyer shumë mbrapa”, tha Meta.
/r.e/






















