TIRANË, 16 prill/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula deklaroi sot se “që drejtësia të bëj më mirë, duhet të ndalim një orë e më parë sulmet ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Sula tha se “në 2016, reforma në Drejtësi mori 140 votat e deputetëve. U duartrokit nga të gjithë. Me kalimin e viteve, drejtësia e re ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve”.
“SPAK dhe GJKKO gëzon për momentin përqindjen më të lartë të besueshmërisë nga qytetarët. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se drejtësia e re mund të bëj më mirë. Fakti që sulmet ndaj SPAK janë shtuar shumë së fundmi, tregon se drejtësia e re po depërton tek ata që janë konsideruar të paprekshëm”, theksoi Sula.
Sula u shpreh se “drejtësinë e reformuar ndaj e kërkuam në fakt: të depërtojë tek të “paprekshmit”. Por menjëherë sapo krijohet perceptimi se po kalohen hendeqet, javët e fundit kanë nisur sulme nga të gjitha anët ndaj SPAK. Kjo është e patolerushme”.
“Kushdo që mendon se është i pafajshëm dhe s’ka abuzuar me pushtetin duhet të jetë i qetë të përballet”, tha Sula.
/k.s/a.f/






















