TIRANË, 12 prill/ATSH/ Kanalet vaditëse e kulluese në bashkinë e Durrësit janë duke u pastruar dhe hapur për t’i shërbyer fermerëve.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se “po vijon puna për pastrimin e kanalit të Tonës me gjatësi 3 kilometra në zonën e Rrushkullit në njësinë administrative Sukth”.
“Po kështu po punohet edhe për sistemimin e argjinaturës së këtij kanali. Gjithashtu po pastrohet edhe kanali i dytë kullues me gjatësi 500 metra në njësinë e Katundit të Ri”, theksoi Sako.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se “pastrimi i këtyre kanaleve mundëson që uji të shkojë në çdo parcelë duke i shërbyer fermerëve të zonës”.
Rehabilitimi i këtyre kanaleve ndikon direkt në prodhimtarinë e tokës, por edhe në kullimin e shpejtë të tyre pas reshjeve të shiut.
/k.s/






















