Ballina Flash

Osmani uron Fitër Bajramin: Të gjithë duhet ta shtrijnë dorën e mirësisë

PRISHTINË, 10 prill /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, duke thënë se solidariteti ndërnjerëzor, i cili e shoqëron muajin e bekuar të Ramazanit është trashëgimi e jona e çmuar.

Në urimin e Osmanit thuhet se festa e Fitër Bajramit është përkushtim ndaj besimit, sakrificës dhe vetëmohimit.

“Lutjet dhe sakrifica juaj përgjatë muajit të Ramazanit u pranofshin. Ju përcjelltë shëndeti, mbarësia dhe begatia në familjet tuaja. Në këtë ditë feste, të gjithë duhet ta hapin zemrën, ta shtrijnë dorën e mirësisë dhe bujarisë për ata që kanë nevojë. Qoftë kjo ditë e mbushur me gëzim të pakufishëm, paqe, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë. Urime dhe me fat Fitër Bajramin”, thuhet në urim.

Po sot Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës, nga ku uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, si dhe i falënderoi ata dhe BIK-un, për kontributin dhe përkrahjen dhe ndihma për të gjitha familjet në nevojë.

Osmani tha se shpreson që lutjet përgjatë Ramazanit të jenë lutje të pranuara. Ajo ka shtuar se do të vazhdojë të bashkëpunojë me BIK-un në të mirë të qytetarëve dhe të popullit.

/KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti uron Fitër Bajramin, përkujton 37 hoxhallarë dhe imamë që ranë dëshmorë
Artikulli tjetërZona e Lirë Ekonomike në Kashar, potencial për tërheqjen e investitorëve të huaj